Nuk i bindet urdhrit të policisë, pas ndjekjes automjeti përplaset me një mur

25/09/2016 00:00

Tre persona janë vënë në pranga nga policia e kryeqytetit pasi teksa ishin duke lëvizur me një automjet nuk janë bindur urdhrit të policisë për të ndaluar e më pas janë përplasur me murin rrethues të një banese.

Policia ka bërë të ditur se në rrugën “Sami Frashëri” shërbimet e policisë “Shqiponjat” i kanë bërë me shenjë për të ndaluar mjetit me targa  AA 858 NS. Drejtuesi i mjetit nuk i është bindur urdhrit të policisë dhe ka vazhduar rrugën me shpejtësi ku për pasojë mjeti me të dhënat e mësipërme në rrugën “Prokop Mima” është përplasur me një mur rrethues të një banese.

Drejtuesi i automjetit së bashku me dy shokët e tij që udhëtonin me të janë shoqëruar në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë për veprime të mëtejshme. Bëhet fjalë për 25-vjeçarin Bektash Muka (drejtuesi i mjetit), 27-vjeçari Valmir Fazliu dhe 24-vjeçari Vilson Laçi. Gjatë kontrollit në automjet, u gjet një pistoletë “Glock” dhe 11 fishekë.

Sipas policisë, drejtuesi i mjetit Bektash Muka, rreth tre muaj më parë ka goditur një mjet të policisë që përdorej nga “Shqiponjat”,  pasi këto të fundit i kanë bërë shenjë ndalimi, por edhe në atë rast përsëri është larguar.

Top Channel