Veliaj: Do të lirojmë konviktet e zaptuara

25/09/2016 00:00

Bashkia e Tiranës do të lirojë të gjithe ambientet e konvikteve të zëna nga familjarë për nxënës dhe studentë që vijnë nga rrethet për të studiuar në Tiranë.

Veliaj ka inspektuar ambientet e reja të konviktit të Shkollës së Mesme Ekonomike në Tiranë, të cilat janë rikonstruktuar.
 
“Kjo është një përpjekje komunitare. Kur dikush vjen për të studiuar në Tiranë, lë qytetin e tij për të jetuar në një qytet tjetër, bëhet banor i Njësisë nr. 2 për aq kohë sa jeton në konvikt. Përsa kohë që është qytetar i Tiranës dhe rezident në këtë qytet, duhet të trajtohet si banor i denjë i kryeqytetit. Kjo do të thotë se nuk mund të kemi më konvikte të zaptuara dhe nuk mund të bëjmë ndërhyrje apo zaptime të terreneve publike dhe çdokush duhet të ketë shansin që të shkëlqejë në jetë”, deklaroi Veliaj.

Veliaj premton zhbllokimin e kredive të buta si mundësi për familjarët që largohen nga konviktet  apo dhe banesat sociale.
 
“Bashkia e Tiranës do të vazhdojë me skemat e veta të banesave sociale, të bonusit të qirasë, të qendrës së emergjencave për strehim dhe duke filluar nga viti tjetër, edhe të kredive të buta, të cilat pavarësisht se mund të jenë bllokuar në nivel qendror, Bashkia e Tiranës me financat e veta do të çlirojë kredi të buta, që kushdo që ka realisht nevojë për strehim, ta ketë këtë mundësi, por jo në kurrizin e të lënit pa strehë një nxënës të konvikteve”, tha kryebashkiaku Veliaj.

Top Channel