Shkëlzen Gashi, dygolësh në ndeshjen e Colorados me Vancouverin

25/09/2016 00:00

Nëse me kombëtaren shqiptare goli i ka munguar që nga ndeshja me Armeninë, e vlefshme për kualifikueset e “Euro 2016”-s, në kampionatin amerikan “Major League Soccer”, Shkëlzen Gashi e ka më të lehtë për të gjetur rrugën e rrjetës.

Në sfidën dramatike të Colorado Rapids me Vancouver, ndeshje e mbyllur në barazim 3-3, sulmuesi shqiptar arriti të shënojë dy herë, për ta çuar në 7 numrin total të golave të shënuara prej tij në 21 ndeshje të zhvilluara në këtë sezon.

Shkëlzen Gashi e shënoi golin e tij të parë në këtë përballje me skuadrën kanadeze në minutën e 57, teksa ekzekutoi saktë një 11-metërsh për t’i dhënë kryesimin në 2-1 skuadrës së Colorados.

Ndërsa golin tjetër, Gashi e shënoi në minutën e 75-të, për t’i dhënë avantazhin e përkoshëm 3-2 skuadrës së tij, e cila renditet në vendin e dytë në Konferencën e Perëndimit të “Major League Soccer”, me 48 pikë, ndërkohë që në krye ndodhet skuadra e Dallasit, që e ka siguruar tashmë kualifikimin për në “play-off”.

Top Channel