E dashura e Clintonit mbështet Trumpin. Skandali i parë seksual, kur ishte guvernator

25/09/2016 00:00

Ish e dashura e Bill Clintonit, Gennifer Flowers thotë se do të marrë pjesë si e ftuar e Donald Trumpit në debatin televiziv të së hënës mbrëma, mes kandidatit republikan për Shtëpinë e Bardhë dhe rivales së tij demokrate, Hillary Clinton.

Ndihmësit e Flowers e bënë pohimin për Andrew Kaczynskin e “BuzzFeed”, ndërsa vet gruaja që bëri publike marrëdhënien e saj intime me ish-presidentin në vitet 1990, i dërgoi një mesazh “New York Times”, ku shkruante: Po, do të jem aty.

Kjo është më e fundit e një serie lëvizjesh të çuditshme që kanë paraprirë debatin e shumëdiskutuar mes dy kundërshtarëve të mëdhenj në Presidencialet e nëntorit. Kampi i Clintonit konfirmoi këtë javë se do të ftojë një armik të përbetuar të Trumpit, miliarderin Mark Cuban.

Sherret mes dy pasanikëve këto vitet e fundit kanë qenë një fenomen i zakonshëm. Edhe të shtunën, Cuban nuk la pa e tallur Trumpin në “Twitter”. Sapo sigurova një vend në radhën e parë – shkruante ai, – ku ta shoh Hillary Clinton ta trallisë fare Donald Trumpin!!!

Lajmin e pranisë së Flowersit në event, zëdhënësja e Hillary, Jennifer Palmieri e komentoi shumë thjesht:

“Clinton – tha ajo, – ka ndërmend ta përdorë debatin për të diskutuar çështje që ndikojnë në jetët e njerëzve. Nuk është aspak çudi që Trumpi ka zgjedhur një rrugë krejt tjetër”.

Tani mbetet për t’u parë nëse komisioni i debateve presidenciale do ta lejojë si Cubanin, ashtu edhe Flowersin të ulen në rreshtin e parë. Flowers deklaroi publikisht gjatë fushatës presidenciale të Bill Clintonit, në vitin 1992, se të dy ata kishin pasur marrëdhënie intime prej më shumë se 12 vitesh.

Top Channel