Greqi, dyshohet fundi tragjik i të miturit britanik të zhdukur 25 vite më parë

25/09/2016 00:00

Me interes të jashtëzakonshëm ndjekin mediat greke dhe të huaja, sidomos ato britanike, zhvillimet e fundit në një prej çështjeve më të bujshme të zhdukjes së fëmijëve të vegjël: atë të britanikut Ben Needham në ishullin Kos të Greqisë.

Nga dita e hënë në këtë ishull, një grup ekspertësh nga Yorkshire, në bashkëpunim me organet greke fillojnë gërmimet në dy pjesë të ishullit, ku sipas informacioneve më të fundit, Beni i vogël është vrarë aksidentalisht dhe ndodhet i groposur.

Vogëlushi nga Sheffield ka qenë vetëm 21-muajsh më 24 korrik të vitit 1991, kur ndodhej në këtë ishull me pushime me gjyshen dhe gjyshin e tij, e prej atëherë gjurmët e tij kanë humbur, ndërsa familja e tij ka besuar gjithnjë se është rrëmbyer, për t’u shitur më pas për birësim.

Me gjithë kërkimet e shumta në këto 25 vite, këmbënguljen e të afërmve të tij, ndihmën e programeve të veçanta në televizionet greke dhe kontributin e pakursyer jo vetëm financiarisht, por edhe me specialistë të qeverive britanike, e së fundmi të vet ish-kryeministrit David Cameron, nuk ka pasur asnjë rezultat konkret për gjetjen e tij.

Por tashmë, 4 vite pas kërkimeve të fundit që janë bërë në ishullin Kos, policia britanike duket se ka rivlerësuar informacionet e fundit, që mund të vërtetojnë një fund tragjik të vogëlushit, atë të vrasjes aksidentale të tij nga një shtetas grek, përgjegjës i makinerive të rënda, në një zonë ku kryheshin ndërtime.

Ky i fundit, në dëshminë e tij para 4 vitesh ka deklaruar në polici se, ndoshta është përgjegjësi për vrasjen aksidentale të britanikut të vogël. Policia ka rihapur përsëri dosjen dhe po heton ende faktet, sipas të cilave e vërteta mund të jetë fshehur për vite me radhë për të mos u dënuar fajtori, i cili tashmë nuk është gjallë.

Top Channel