Bombardimi i Aleppos, Ban Ki-moon: Ditë e zezë për civilët

25/09/2016 00:00

Shefi i OKB-së, Ban Ki-moon është i tronditur nga përshkallëzimi i frikshëm ushtarak i situatës në qytetin e shkatërruar të Aleppos. Kështu deklaroi zëdhënësi i tij, Stefan Dujariç, i cili shtoi se Ban Ki-moon është i alarmuar nga raportet për sulme ajrore, ku janë përdorur bomba ndezëse dhe bomba antibunker.

Qeveria siriane ka shtuar ndjeshëm sulmet ndaj qytetit rebel, që pas dështimit të armëpushimit të javës së shkuar. Në kuadër të kësaj situate, SHBA-të, Mbretëria e Bashkuar dhe Franca kanë kërkuar një mbledhje emergjente të Këshillit të Sigurimit.

“Që prej lajmërimit të dy ditëve më parë nga qeveria siriane, për nisjen e ofensivës për të rimarrë kontrollin e zonave lindore të Aleppos, kemi raporte për përdorimin e bombave ndezëse dhe armëve të përparuara si raketa antibunker. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së mendon se kjo është një ditë e zezë për angazhimin për të mbrojtur civilët”, deklaroi zëdhënësi i Ban Ki-moon.

Qyteti verior i Aleppos është bërë një fushëbetejë kyçe në luftën civile thuajse 6-vjeçare të Sirisë. Disa ditë më parë, kreu i OKB-së akuzoi drejtpërdrejt regjimin e Bashar al-Assadit se ka vrarë shumicën e civilëve në konflikt, por kjo nuk ka ndaluar aspak përleshjet.

Përkundrazi, qeveria siriane tha se po shënon progres të madh kundër terroristëve, term me të cilin cilëson këdo që është kundër saj. Analistët thonë se, përsa kohë ekzistojnë mosmarrvëshje mes Amerikës dhe Rusisë, të cilat mbështesin palë kundërshtare në Siri, lufta atje do të vazhdojë derisa dikush të fitojë në terren.

Top Channel