Samiti i Vjenës për refugjatët, Hungaria: Kamp kolosal në Libi

25/09/2016 00:00

Bashkimi Europian duhet të krijojë një qytet gjigant refugjatësh në brigjet libiane, për të procesuar azilkërkuesit afrikanë, para se ata të mbërrijnë në Europë. Kështu deklaroi kryeministri hungarez, Viktor Orban, në Samitin e Vjenës, ku morën pjesë udhëheqës europianë dhe ballkanikë.

Orban njihet për qëndrimin e tij të ashpër kundër emigracionit dhe tha se, ky kamp masiv duhet drejtuar nga qeveria libiane. Kreu i qeverisë hungareze, e cila ka mbyllur kufirin e saj me tela me gjemba dhe qen roje, tha se BE-ja duhet të marrë kontrollin e plotë të kufijve të tij të jashtëm.

Libia është në kaos që prej vitit 2011, pas rrëzimit të diktatorit Muammar Gaddafi, me qeveri dhe milici rivale që luftojnë për pushtetin. Por sipas Orban, kjo situatë nuk pengon krijimin e qytetit për emigrantët.

Ai tha se duhet anuluar embargoja për armët, që i është vendosur Libisë nga Perëndimi, dhe se duhet garantuar mbështetje për ushtrinë çlirimtare të Libisë, një ish-grup rebelësh.

Orban kishte hedhur më herët idenë që refugjatët të ndaleshin në ndonjë ishull të Mesdheut, një kopjim i asaj që bën Australia, duke mos lejuar azilkërkuesit që të shkojnë të territorin e saj. Hungaria nuk ka pranuar as kuotat e detyrueshme të BE-së për shpërndarjen e emigrantëve, madje ka organizuar një referendum popullor për këtë.

Top Channel