FRESSH zgjedh drejtuesit e rinj, Rama: Të zgjerojmë forumin tonë

25/09/2016 00:00

Forumi Rinor Eurosocialist ka mbërritur në fazën gjysmëfinale, ku mes 20 të rinjve do përzgjidhen 8 më të mirët. Mes batutash, i pranishëm në këtë aktivitet, kryeministri Edi Rama i ftoi të rinjtë që aspirojnë të bëhen pjesë e FRESSH, që të besojnë në politikë nëse duan ta bëjnë më të mirë të ardhmen.

“Politika është instrumenti për të ndryshuar gjërat. Politika nëse lihet në pak duar apo duar të gabuar, ka fuqinë të bëjë keq. Por politika është e jashtëzakonshme. S’ka fuqi që e zëvëndëson. Sa më shumë të merremi, aq më shumë ajo bën mirë për ne! Sa më shumë t’i largohemi, aq më shumë jemi të destinuar të kthehemi në viktima të vendimmarjeve të gabuara”, tha Rama.

Për Edi Ramën ky process përzgjedhjeje kishte një rëndësi të veçantë.

“Është e domosdoshme që ne të krijojmë më shumë gjithëpërfshirje për njerëzit që nuk mjaftohen me 140 gërma të Tëiter apo Facebook, por duam të flasin e të dëgjojnë më shumë njër- tjetrin për të thelluar dijen e për të marrë vendimet e duhura. Në këtë aspekt, puna që ne presim nga FRESH Voice është kolosale për t’u kthyer në një rrjet jo virtual, por njerëzor offline, që i beson komunikimit të drejtpërdrejtë dhe politikës”, u shpreh ai.

Anëtarët e jurisë kanë vlerësuar të rinjtë që u bënë pjesë e FRESH Voice, ku Pandeli Majko e përshkroi rrugëtimin disamujor me gjuhën e kryeministrit.

“Arritëm në këtë stacion të fundit. Ishte një projekt, kishim penel, kishim edhe tablo, edhe titull të pikturës, por ngjyrat ishit ju”, deklaroi ai.

Top Channel