SHBA, arrestohet autori i vrasjes së 5 personave në qendrën tregtare

25/09/2016 00:00

I dyshuari i të shtënave fatale në Qendrën Tregtare “Cascade” në Uashington, ka rënë në prangat e policisë. Njeriu, që mori 5 jetë njerëzish me gjestin e tij ekstrem, është identifikuar si Arcan Cetin, 20 vjeç, i lindur në Turqi, por rezident i përhershëm në Shtetet e Bashkuara.

Arrestimi i tij u krye në Oak Harbor, një qytet në jugperëndim të Burlingtonit, ku ndodhën vrasjet. FBI-ja thotë se nuk ka prova që të dëshmojnë se incidenti ka sfond terrorist.

Cetin u identifikua si personi i dyshuar për ngjarjen, pasi makina të cilën ai ngiste shfaqej në pamjet e kamerave të sigurisë, duke u larguar pas sulmit nga qendra tregtare. E njëjta makinë ishte diktuar më vonë në Oak Harbor.

Oficeri i policisë që e ndaloi rrëfen se i riu nuk ka thënë asgjë në momentin e prangosjes. “Ishte si zombi, – tregon togeri Mike Hawley. – Nuk bëri asnjë veprim e nuk kishte armë me vete. Deri tani, policia nuk e ka zbuluar motivin e vrasjeve”.

Shumica e viktimave ishin femra, mes trye dhe një 16-vjeçare. Të shtënat ndodhën në dyqanin “Macy’s”. Qendra Tregtare “Cascade Mall” është një godinë e mbyllur, brenda së cilës gjendet një rrjet dyqanesh të njohura, si dhe restorante e një kinema.

Top Channel