Ndahet nga jeta kryebashkiaku i Kolonjës, shkak ataku kardiak

25/09/2016 00:00

Kryetari i Bashkisë së Kolonjës, Arben Malo ndërroi jetë në orët e para të mëngjesit të së dielës, në banesën e tij. 46-vjeçari mësohet se ka gjetur vdekjen e menjëhershme si pasojë e një ataku kardiak gjatë natës, ndërsa është transportuar për në morgun e Korçës.

Arben Malo ishte përfaqësues i Aleancës së Shqipërisë Europiane për kryetarin e Bashkisë së Kolonjës. Malo u lind më 26 shtator 1969, në Kolonjë. Në vitin 1993 u diplomua pranë Fakultetit të Gjeologji-Minierave të Universitetit të Tiranës.

Malo ka mbajtur pozicionin e kryetarit të Partisë Socialiste në degën e Kolonjës përgjatë viteve 1998-2005. Prej viti 2013, e deri në zgjedhjet e fundit lokale, ai ka mbajtur postin e drejtorit të Drejtorisë Rajonale të Bujqësisë, Korçë.

Përgjatë viteve 2000-2007 ka qenë kryetar i Këshillit Bashkiak të Ersekës, ndërsa në vitet 2000-2011 ka ushtruar detyrën e anëtarit dhe kryetarit të grupit socialist të Këshillit të Qarkut Korçë.

Në zgjedhjet e fundit lokale, ai u propozua si kandidat i koalicionit “Aleanca për Shqipërinë Europiane”. Ndërkohë, sipas ligjit, në rastet kur i zgjedhuri lokal ndërron jetë gjatë mandatit, në bashkinë që ai drejtonte mbahen zgjedhje të reja.

Top Channel