Vetting-u, hashashi dhe Llalla, në këndvështrimin e Skënder Minxhozit

24/09/2016 00:00

Për të folur më shumë mbi aktualitetin politik e jo vetëm në vend, i ftuar në studion e lajmeve të Top Channel ka qenë analisti Skënder Minxhozi, i cili ka komentuar çështjen e vetting-ut, atë të hashashit dhe kërcënimin ndaj kryeprokurorit Adriatik Llalla.

TCH: Skënder, mirëmbrëma dhe mirë se erdhe në studion tonë.

Skënder Minxhozi: Mirëmbrëma dhe faleminderit për ftesën.

TCH: Në këndvështrimin tuaj, vendimi i PD për ta çuar vetting-un në Gjykatën Kushtetuese është një kosto shtesë, apo një lëvizje formale?

Skënder Minxhozi: Nuk e di nëse është i tillë, por di që është një vendim i vonuar dhe i palogjikshëm në një kohë kur ligji ka kaluar. Të shpresosh që një paketë kaq e sponsorizuar, e reklamuar, e debatuar dhe e përpunuar ndër muaj e vite nga filtra shqiptarë e të huaj të rrëzohet nga një gjykatë do të thotë t’u vësh gjykatësve një peshë që nuk e mbajnë dot. Për më tepër, krijon një kosto politike që e vendos PD përballë partnerëve amerikanë. Ne kemi parë të zbardhura debatet e fundit për vetting-un të publikuara në media, ku opozita nuk është përplasur me ekspertët tanë, por me ata të huaj. Ajo që nuk pritej është që qëndrimit të amerikanëve PD t’i përgjigjej kaq ashpër.

TCH: Po thirrja e ish-kryeministrit Berisha për ambasadorin amerikan për çështjen e hashashit, përse të ketë ardhur kaq vonë?

Skënder Minxhozi: Kjo është një nga enigmat e kohës që jetojmë, se si për një temë kaq të nxehtë në politikën e brendshme të ketë një heshtje kaq të madhe nga ndërkombëtarët. Sikurse dihet, mazhoranca mendon se kjo heshtje ka të bëjë me faktin se sipërfaqet e kultivuara janë jo vetëm më të vogla, por edhe eliminimi i tyre është më i madh se ç’ka qenë. Dalja e ambasadorit Lu është një dalje taktike, që kërkon ta vërë hashashin në një kontekst, për mendimin tim, të drejtë. Pra kërkon të përfshijë në një rrafsh historik të gjithë ata faktorë politikë që kanë qeverisur Shqipërinë. Sikur për të thënë se Shqipëria e hashashit nuk u zbulua sot, por ka qenë këtu mes nesh dhe ne e kemi njohur.

TCH: Po sa i takon kërcënimit të kryeprokurorit Llalla, a i besoni?

Skënder Minxhozi: Personalisht kam dyshim e mia. Shumë është folur se cilët mund të jenë ata që bëjnë presion mbi kryeprokurorin, mbi rrethanat e këtij kërcënimi. Ajo që unë shoh e që duket në dritën e Diellit është mesazhi që jepet dhe që një deputet në dukje periferik i Parlamentit e kishte përmbledhur bukur me një frazë: “kur ky prokuror nuk mbron dot familjen e tij, si do mbrohen shqiptarët?” Është një pyetje që e bën shumëkush. Kur kryeprokurori nuk gjen drejtësi në vendin e tij dhe të vetmen zgjidhje gjen largimin e familjes, çfarë mesazhi është ky për opinionin publik, që pret shumë nga prokuroria, pret sot dhe akoma më shumë nesër kur të zbatohet reforma në drejtësi? Pra, nuk më duket një fabul interesante se cilët kërcënojnë kryeprokurorin, sepse posti i tij është i ekspozuar ndaj kërcënimeve të shumta dhe është e kuptueshme që ai të kërcënohet, por zgjidhja e tij duke larguar familjarët mua më lë në mëdyshje si qytetar i këtij vendi.

Top Channel