Ka pak ditë që ka mbushur plot 115 vite, ndërsa thotë se ka kohë që nuk i numëron më ato. Por ajo është me mendje të kthjellët edhe në këtë shekull të dytë të jetës së saj. Qerime Ballobani nga fshati Snosen i Gramshit, kujton me saktësi çdo periudhë historike.

“Ka hyrë Italia në mars, lufta është hapur në krye të vitit. Erdhi greku dhe vuri kufirin në Komjan. Greku në Grabovë, Italia ishte këtu. Ishte luftë, vlonin aeroplanët”, kujton ajo.

Nuk i mungojnë as detajet. Për 12 ditë thotë se familja e saj ka strehuar Mehmet Shehun së bashku me njerëzit e tij. “Mehmet Shehu ishte këtu me 10 veta dhe rojet e ruanin gjithë kohës”, thotë ajo.

Përveç luftës, Qerimja tregon se një periudhë e vështirë ishte diktatura. “U dërrmuam në kooperativë. Kemi punuar fort dhe po të mos dilje nuk merrje bukën, rrogën”, thotë Qerimja.

Nëna e ka lënë të re, ndërsa babai ka ndërruar jetë rreth 80 vjeç. Ajo rriti 10 fëmijë, 2 prej të cilëve janë ndarë nga jeta. Por Qerimja falenderon Zotin që ka një familje të madhe dhe një  jetë kaq të gjatë.

10 fëmijët e saj lindën në shtëpi, me ndihmën e së vjehrrës, si të gjitha gratë e asaj kohe. Ndërsa gjatë gjithë jetës së saj nuk ka shkuar asnjëherë tek doktori, por vetëm një herë tek dentisti për një dhëmballë.

Jetëgjatësia e saj duket se ka të bëjë me mënyren e ushqimit. 115 -vjeçarja nga Gramshi gjatë gjithë jetës ka ngrënë bukë misri dhe ka pirë dhallë. Ajo tregon se asnjëherë nuk ka ngrënë bukë gruri.

“Unë jam rritur me bukë misri edhe tani me bukë misri jetoj. Atë ha vetëm. Nuk e kam me qejf bukën e grurit”, rrëfen ajo.

Vetëm vitet e fundit, gruaja më e vjetër në Shqipëri ka filluar të ketë probleme me zemrën dhe me shikimin. Por ajo ende nuk i është dorëzuar shtratit, e ndihmuar edhe nga familjarët Qerimja vazhdon të dalë deri në qendër të fshatit.

Top Channel