“Mos qëlloni!”, klithma e bashkëshortes së viktimës në Sharlot

24/09/2016 00:00

Momenti kur policia në Karolinën e Veriut qëlloi një person me ngjyrë u regjistrua në video nga bashkëshortja e viktimës, e cila dëgjohet teksa u lutet oficerëve: “Mos e qëlloni!”.

Në pamje, Rakeyia Scott i thotë bashkëshortit Keith Scott që të dalë nga makina, në një kohë kur policia e lokalitetit Sharlot e kishte rrethuar atë.

Videoja nuk tregon momentin e të shtënave dhe as nuk tregon nëse Scott ishte i armatosur, sikurse pretendon policia.

Agjentët dëgjohen teksa i bërtasin afro-amerikanit që të hedhë armën, ndërsa bashkëshortja e tij dëgjohet teksa u thotë atyre se Keith është i çarmatosur.

Të premten mbrëma, me orën lokale, disa qindra protestues dolën në rrugë për të manifestuar kundër vrasjes, por ata ishin më të pakët në numër se pjesëmarrësit në tubimet e tre netëve më parë.

“Pa drejtësi nuk ka paqe” dhe “Publikoni videon” ishin thirrjet e tyre, që i drejtoheshin agjentëve me kamerat e montuara në uniformën e tyre.

Top Channel