Francë, Hollande prezanton planet për çmontimin e “Xhunglës”

24/09/2016 00:00

Presidenti francez Francois Hollande ka deklaruar se ka ndërmend të mbyllë kampin e emigrantëve në Kale, i njohur ndryshe si “Xhungla”, dhe të lëvizë 9 mijë refugjatët që ndodhen atje në qendra pritëse në zona të ndryshme të Francës.

Duke publikuar për herë të parë planet për zgjidhjen e këtij problemi, Hollande deklaroi se, emigrantëve do t’u jepet deri në 4 muaj kohë për të bërë kërkesat për azil.

Shefi i pallatit Elize është përballur me shumë kritika lidhur me kushtet e rënda në Kale, të cilat vetë ai i ka cilësuar si “të papranueshme”.

Komentet e tij erdhën teksa disa liderë të BE-së dhe Ballkanit ishin mbledhur në Vjenë për të diskutuar mbi krizën e emigrantëve.

“Xhungla” u kthye në një simbol të fuqishëm të dështimit të Europës për të sheshuar krizën e largimit të banorëve nga vendet e Afrikës dhe Lindjes së Mesme.

Emigracioni pritet të jetë një temë kyçe në zgjedhjet e ardhshme presidenciale të Francës, në një kohë kur mandati i zotit Hollande po shkon drejt fundit.

Duke shpjeguar planet e tij në një qendër pritjeje në Turs, rreth 240 km në jug-perëndim të Parisit, ai sqaroi se qendrat e strehimit do të mbajnë nga 40 deri në 50 persona për 4 muaj.

Gjatë kësaj kohe, emigrantët mund të aplikojnë për azil në Francë dhe ata që nuk arrijnë ta sigurojnë atë do të dëbohen nga vendi.

Rreth 7 mijë emigrantë jetojnë aktualisht në kamp, gjysma e të cilit u çmontua më herët gjatë vitit, nga 4.500 që ishin në qershor. Shifra në fjalë është dhënë nga autoritetet, ndërsa grupet humanitare thonë se ajo reale është rreth 9 mijë.

Top Channel