Rama: Akuzat për mbetjet, shpifje politiko-mediatike

24/09/2016 00:00

Kryeministri Edi Rama ka reaguar në rrjetet sociale lidhur me akuzat e bëra ndaj tij lidhur me ligjin e mbetjeve.

“Çfarë po u thuhet sot njerëzve nga sharlatanët politikë e mediatikë për ligjin e ri të mbetjeve është një shpifje që synon t’u fusë frikën dhe t’i përdorë kundër qeverisë!”, thotë Rama.

Kryeministri shprehet se, “ne nuk i kemi tradhëtuar shqiptarët kur ndaluam importin e plehrave nga jashtë; nuk i kemi tradhëtuar kur kaluam ligjin e ri që s’ka të bëjë gjëkundi me lejimin e importit për plehra që digjen apo groposen në Shqipëri; nuk do t’i tradhëtojmë kurrë për asnjë interes që bie ndesh me interesin e tyre e të fëmijëve tanë!”.

Sipas kreut të qeverisë, “ligji i ri është vetëm normalizimi i jetës për industrinë e lehtë të riciklimit, 100% sipas legjislacionit të gjelbër të BE-së, e cila blen mbetje letre, plastike, alumini apo druri dhe i kthen në lëndë të parë për prodhimin e ambalazheve, shisheve plastike, kanaçeve të aluminit apo material bio për ngrohje (pelet)”.

“Ishim vendi i vetëm në Europë pa këtë ligj dhe sot jemi thjesht një vend si të tjerët, në rajonin tonë apo në Bashkimin Europian”, përfundon Rama reagimin e tij.

Top Channel