Obama i vë veton ligjit, të mbijetuarve të 11 shtatorit u lejonte të padisnin Arabinë Saudite

24/09/2016 00:00

Pavarësisht të gjithë presionit nga kongresi apo familjarët e viktimave të 11 shtatorit, presidenti amerikan Barack Obama ka vendosur veton për miratimin e ligjit që lejon të afërmit e të ndjerëve të padisin Arabinë Saudite.

Shtëpia e Bardhë argumenton se legjislacioni do të krijonte probleme ligjore për amerikanët që jetojnë jashtë vendit si edhe njëkohësisht do të dëmtonte interesat e Shteteve të Bashkuara me vendet e tjera.

Obama shprehu keqardhjen e madhe për familjarët e rreth 3 mijë viktimave, por sipas tij miratimi i këtij ligji nuk do të mbronte amerikanët  nga sulmet terroriste dhe as do të përmirësonte efikasitetin e reagimit ndaj sulmeve të tilla.

Megjithatë, Kongresi mund të përpiqet ta shfuqizojë veton dhe ta miratojë ligjin, në se do të sigurojë votat e dy të tretave të ligjvënësve.

Arabia Saudite ka mohuar çdo lloj përfshirjeje në sulmet më të rënda terroriste që kanë ndodhur ndonjëherë në Shtetet e Bashkuara. Por faktet tregojnë të kundërtën, 15 nga 19 rrëmbyesit e katër avionëve në Nju Jork dhe Uashington, u identifikuan si shtetas sauditë.

Presidenti Obama është në një pozicion delikat. Në kulmin e fushatës presidenciale, kandidati për Shtëpinë e Bardhë, Donald Trump premton se do të firmosë menjëherë legjislacionin, nëse zgjidhet në krye të Shtëpisë së Bardhë.

Top Channel