Usain Bolt refuzon NFL

24/09/2016 00:00

Njeriu më i shpejtë i planetit, Usain Bolt refuzon National Football League. Shumë skuadra të kampionatit të futbollit amerikan e kërkuan Bolt për të shfrytëzuar në maksimum shpejtësinë e 30 vjeçarit, gjë që është konfirmuar nga vetë atleti xhamajkan. Mësohet se këto skuadra ishin gati të pranonin  çdo lloj shifre që do t’u kërkonte Bolt për të pranuar kalimin në kampionat.

“Ka pak kohë që ndjek ndeshjet e NFL, por në momente të caktuara”, tha Bolt në një intervistë për ESPN. “Nuk e shoh veten në asnjë prej skuadrave të kësaj lige. Nuk besoj se jam i përgatitur për futbollin amerikan, është një sport fizik, agresiv dhe që kërkon kushte shumë speciale”.

Në Lojërat e Rio de Janeiros, Bolt bëri historinë duke fituar për të tretën herë radhazi 3 medaljet e arta olimpike në 100, 200 dhe 4×100 m.  Rezultat ky që shtyu një prej trajnerëve të NFL, Tony Dungy që të hyjë në kontakt me të duke e siguruar se ai i ka të gjitha mundësitë që të bëhet një lojtar i shkëlqyer i futbollit amerikan.

Ndërkaq, Bolt që është në SHBA për një fushatë promovuese, këmbënguli në qëndrimin e tij se ka pasion më të madh për futbollin evropian duke shprehur dëshirën që një ditë të jetë pjesë e Manchester United, që është skuadra e tij e zemrës.

Top Channel