PD: Shqipëria e mbytur në kanabis, Europa në alarm, Rama thotë s’ka drogë

24/09/2016 00:00

Partia Demokratike, me anë të Enkelejd Alibeaj, kreu i Departamentit të Rendit dhe Sigurisë në këtë parti, ka akuzuar edhe një herë qeverinë se e ka kthyer Shqipërinë në një vend të kanabisit.

Duke cituar gazetën greke “Kathimerini”, Alibeaj thotë se Klement Balili, i konsideruar nga CNN si eskobari i Ballkanit, feston çdo natë lirshëm në Sarandë, edhe pse është në kërkim ndërkombëtar për trafik droge.

Ai thotë se mediat italiane çdo ditë raportojnë ngarkesa droge që mbërrijnë nga Shqipëria me skaf apo në rrugë të tjera.

“Vetëm sasia e kapur në muajt gusht-shtator në Itali, e raportuar nga mediat, është 12 ton drogë. Drogë e rritur, e kultivuar, e magazinuar, e transportuar nga Shqipëria drejt Italisë. The Economist, revista lider në botë shkruan se situata e drogës në Shqipëri është përkeqësuar. Pista e avionëve të drogës 1.8 kilometra është ndërtuar në mes të vendit, Lumi Zezë ka habitur dje banorët e Fushë Krujës se është mbushur me kanabis që vjen nga kodrat”, deklaroi Alibeaj.

Pavarësisht të gjitha këtyre fakteve, thotë Alibeaj, sërish Edi Rama dhe Tahiri i tij thonë se në Shqipëri nuk ka drogë, dhe se degën e fundit e sekuestruan ata në një studio televizive.

“Dhe shfaqet edhe më i paturpshëm drejtori i Policisë, Cako, i cili deklaron se monitorimet nga ajri tregojnë se nuk ka kanabis në vend. Duke u tallur me shqiptarët dhe me partnerët italianë, me Guardia di Finanza, e cila është çdo ditë në aksion duke kapur drogë shqiptare që mbërrin në brigjet e shtetit fqinj. Pra pasi mbuloi Shqipërinë me kanabis, Edi Rama ka zgjedhur ta mohojë atë. Po shqiptarët e dinë, e shohin çdo ditë, dhe po e vuajnë këtë rrënim të vendit nga droga, nga droga që mbyt ekonominë e ndershme, shfrytëzon tokat dhe burimet, që sjell vrasje e hasmëri, që kap pushtetin, drejtësinë, që shkatërron votën e lirë”, përfundon deklarata e Alibeajt.

Top Channel