Nuk ka rrezik nga mbetjet, Koka në fabrikën e riciklimit: Jo import jashtë listës

24/09/2016 00:00

Dy muaj më parë fabrika e riciklimit dhe prodhimit të kartonit u vizitua nga kreu i opozitës, Lulzim Basha, ku premtoi lehtësira fiskale dhe mbështetje për biznesin. Pas miratimit të ligjit të importit të mbetjeve nga e njëjta fabrikë, ministri i Mjedisit Lefter Koka siguroi qytetarët për transparencë dhe kontroll rigoroz në zbatimin e ligjit për të shmangur çdo rrezik të futjes në vend të mbetjeve jashtë listës së miratuar.

“Ne kemi detyrimin ligjor t’i përgjigjemi shoqatave të shoqërisë civile, të bashkëpunojmë ngushtësisht me ta, të rrisim standardet e kontrollit, e cila është totalisht e mundur, kërkon vetëm bashkëpunim dhe mirëkuptim”, tha ministri Koka.

Sipas Kokës, në industrinë e përpunimit të mbetjeve urbane janë të punësuar 40 mijë njerëz, por kjo industri ka disa vjet që ndodhet në një situatë të vështirë pasi nuk është në gjendje të sigurojë lëndën e parë, të cilën është e detyruar ta sjellë nga jashtë.

“Ne e kemi për detyrë të dimë shqetësimet e investitorëve shqiptarë. Nëse këto biznese do të falimentojnë apo do të ulin kapacitetet, kjo do të thotë se do të kemi një numër të madh njerëzish që do të mbeten pa punë”, tha ministri.

Vetëm në këtë fabrikë janë investuar 17 milionë euro dhe janë të punësuar mbi 100 punonjës. E gjithë lënda e importuar përdoret e gjitha për riciklim dhe nuk krijon mbetje të tjera.

Top Channel