Kriza e emigrantëve mbledh kryeministrat e Ballkanit në Vjenë

24/09/2016 00:00

Nisma e Kancelarit austriak Christian Kern, mblodhi në Vjenë liderët e Ballkanit dhe drejtuesit europianë në një samit të posaçëm të dedikuar çështjes së refugjatëve.

Qëllimi i samitit është qasja e përbashkët  e qeverive në këtë kauze, e cila sipas shumë organizatave ka dështuar pasi mbyllja e rrugëve kyçe të kontinentit ka lënë të bllokuar mijëra refugjatë kryesisht në Greqi.

Ky është edhe boshti kryesor i bisedave ndërmjet Kryeministrit të Shqipërisë, Bullgarisë, Kroacisë, Greqisë, Hungarisë, Rumanisë, Serbisë, Maqedonisë dhe Sllovenisë së bashku me Kancelaren gjermane Angela Merkel dhe përfaqësuesve të tjerë të unionit.

“Ne duhet të përmirësojmë efektivitetin e veprimeve tona. Kemi nevojë që të konfirmojmë  politikisht  se rruga e Ballkanit Perëndimor është mbyllur për një qëllim të mirë, për të shmangur emigracionin e paligjshëm dhe e përgëzoj kancelarin Kern që na mblodhi bashkë për këtë iniciativë”, tha Donald Tusk.

Edhe pse numri i atyre që mbërrijnë në brigjet e Europës kanë rënë nga efekti i marrëveshjes Ankara-BE, e ardhmja e kësaj ujdie mbetet e paqartë. Blloku 28 vendesh ka ndasi të mëdha sa i përket çështjes së emigracionit, çka është reflektuar jo vetëm në Bashkimin Europian, por edhe në Gjermani që cilësohet si vendi që kancelarja Angela Merkel ka hartuar politiken e pranimit të refugjatëve.

Top Channel