Donald Lu: PD rrezikon me “drejtësinë”

24/09/2016 00:00

Reforma në drejtësi është e pakthyeshme dhe partia Demokratike rrezikon të bëhet partia që shqiptarët të besojnë se është kundër reformës dhe mbron gjyqtarë e prokurorë të korruptuar.

Kështu deklaroi ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Donald Lu, kur u pyet nga një grup studentësh të gazetarisë në lidhje me nismën e opozitës për të çuar ligjin e vettingut në Gjykatën Kushtetuese.

“Është e drejta kushtetuese e opozitës ta ankimojë ligjin e vettingut në Gjykatën Kushtetuese apo të bojkotojë mbledhjet e mëtejshme të komisionit të posaçëm për reformën në drejtësi.

I kemi thënë udhëheqjes së Partisë Demokratike se rrezikojnë të bëhen ajo parti që populli shqiptar beson se është kundër kësaj reforme dhe se po mbron gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar, ose gjyqtarë e prokurorë tek të cilët kanë ndikim politik.

Kujtoj deklaratën e bërë nga Presidenti Nishani, i cili tha në një intervistë se edhe pse nuk i pëlqen disa nga nenet e Ligjit të Vetting, as ai dhe as ekspertët e tij ligjorë nuk mund të gjejnë diçka jokushtuetuese në ligj.

Ne, Shtetet e Bashkuara, iu bëjmë thirrje të gjitha partive politike në Shqipëri të vazhdojnë të kërkojnë zbatimin e plotë dhe të shpejtë të reformës në drejtësi.” – u shpreh ambasadori i SHBA, Donald Lu.

Top Channel