SHBA, kllounët kthehen në makth në 6 shtete. Mashtrojnë fëmijët

23/09/2016 00:00

Ngjan me një subjekt filmi horror, por në SHBA, kllounët janë kthyer në një mankth. Fenomeni shqetësues i personave të maskuar si kllounë, që përpiqen të mashtrojnë fëmijët duke i çuar në pyll, është raportuar në të paktën 6 shtete amerikane.

Një prej tyre është 20-vjeçari Jonathan Martin, i arrestuar të premten nga policia e Kentuckyt. Rastet e ngjashme të verifikuara së fundmi kanë shkaktuar alarm në Amerikë, aq sa policia ka paralajmëruar njerëzit të shmangin kostumet e kllounave, pasi do të përballen me akuza kriminale.

“Duke u veshur si klloun, ndërsa nget makinën apo ecën nëpër rrugë, mund të krijosh situata të rrezikshme për ty e për të tjerët”, thuhet në një deklaratë “online” të Policise së Barbourville, në Kentucky.

Rastet e kllounëve që mashtrojnë fëmijët janë raportuar gjatë javëve të fundit në Karolinën Veriore e Jugore, Alabama, Georgia dhe Kentucky. Por situata është shfrytëzuar edhe për alarme të rreme.

Sipas një studimi, personazhi me fytyrën e pikturuar dhe buzëqeshjen e stampuar perceptohet si i frikshëm nga shumica e njerëzve dhe për këtë ka kontribuuar edhe romani i Stefen King, “It”, i kthyer më pas në një serial horror.

Top Channel