Pardesytë retro, puplat dhe ngjyrat e ndezuara që të rikthenin pas në vitet ’60 e ’70, dominonin koleksionin pranverë-verë të “Prada”-s, që u prezantua në Milano. Modelet mbanin veshje prej mëndafshi, funde me dizajne nostlagjike dhe çanta shumëngjyrëshe, diçka për të cilën shquhet marka prestigjioze.

Stilistja Miuca Prada, e konsideruar një pioniere në këtë sektor, përfshiu në koleksionin e saj pantallona të shkurtra të kuqe e të zeza, të kombinuara me printime optike, e gjithashtu bluza me mëngë të gjata me katrorë dhe pallto.

Përgjatë pasarelës, ekranet projektonin një instalacion video me pjesë nga filmi me metrazh të shkurtër “Past Forëard” i Miuca Pradës dhe regjisorit amerikan David O. Russell.

Ndërkohë, në koleksionin e ri të Giorgio Armanit, hijeshia femërore ishte çështje detajesh të vogla e delikate. Një grua sharmante dhe e sofistikuar, e cila tërheq vëmendjen me veshje që nuk zbulojnë shumë, elemente të thurura dhe theka.

Duke i qëndruar besnik stilit të tij, Armani, i cili vitin e kaluar shënoi 4 dekada në botën e modës, propozoi dizajne të rregullta, rigoroze dhe elegante. Por vihej re gjithashtu një frymëzim nga kulturat e largëta, duke prezantuar funde “sarong”, pëlhura të buta dhe pantallona të derdhura.

Ngjyrat e preferuara të 82-vjeçarit, i cili njihet ndryshe si “Mbreti Giorgio” ishin bluja hipnotizuese dhe e thellë, lejlaja dhe më rrallë bezha, grija dhe e kuqja.

Top Channel