Debati për mbetjet, ambienti përballë punësimit; pro dhe kundër

23/09/2016 00:00

Mjedisi apo ekonomia? Përpunimi i mbetjeve punëson në Shqipëri mbi 35 mijë persona, ndërsa investimet kapin 130 milionë euro. Por për ambientalistët, kjo industri është thjesht një rrezik shtesë për ndotjen. Dhe, së pari, duhet të përpunojë mbetjet vendase.

“Ne jemi për ndalimin në burim të importit të plehërave. Nuk duam t’i kontrollojmë këtu dhe t’u vëmë gjoba njerëzve. As nuk duam që shteti shqiptar të marrë ato taksat doganore për ato mbetje që do të vijnë, por duam që ne të prodhojmë sa më pak mbetje në Shqipëri dhe të përpunojmë ato që janë tonat”, thotë Lavdosh Ferruni.

Por industria ricikluese siguron se, çdo proces bëhet sipas standardit. Sipas tyre, riciklimi do të ishte më fitimprurës nëse do të përdorte si lëndë të parë mbetjet vendore.

“Ju garantoj se askush nga ne nuk ka interes të marrë lëndën e parë nga jashtë dhe të mos e blejë nga vendi. Logjika është fare e thjeshtë, 1 ton plastikë bën 100 euro, ta biesh nga jashtë do 100 euro transport. Kush është ai budalla që do ta bëjë këtë? Pse do ta sjell unë nga Italia?”, thotë për Top Channel Bardhyl Baltëza, kryetar i Shoqatës së Ricikluesve.

Sipas zotit Baltëza, sot në Shqipëri industria e ricklimit ka investuar 130 milionë euro, ndërsa riciklohen letra, metalet, bateritë, plastika. Për lëndë të parë shfrytëzohen lëndët që mblidhen nga kompani dhe individë në vend, por kjo sasi nuk mjafton për të shfrytëzuar në maksimum kapacitetet ricikluese.

Qeveria thotë se pikërisht ky kapacitet do të plotësohet me mbetjet e importit, por nuk do të lejojë importe që tejkalojnë mundësinë përpunuese të kësaj industrie.

Top Channel