Ahmetaj: Ligji ynë, ndryshe. Ndaluam groposjet dhe djegiet

23/09/2016 00:00

Ministri i Financave, Arben Ahmetaj thotë se mes ligjit të vjetër për importimin e mbetjeve dhe atij të miratuar një ditë më parë në Parlament ka ndryshime thelbësore që shpjegojnë se pse qeveria vendosi ta rikthejë importin e mbetjeve të riciklueshme.

Ndryshimi i parë dhe më i rëndësishmi është ndalimi në ligjin e ri i importit për groposjen dhe djegjen e mbetjeve.

“Në 2013 çdokush mund të importonte mbetje të listës së gjelbër për t’i groposur, për t’i djegur, ricikluar apo edhe për t’i larguar nga një vend tjetër dhe për t’i depozituar këtu. Shqipëria nuk mund të ishte një arenë mbetjesh dhe djegiesh”, deklaron Ahmetaj.

Një tjetër kufizim i ligjit i ri është se kompanitë do të liçencohen për të importuar atë sasi mbetjesh, për të cilën e kanë kapacitetin për të ricikluar.

“Nëse ti ke një fabrikë që të përpunon 1 mijë tonë në muaj, ti nuk mund të marrësh liçencë e cila të lejon të importosh 100 mijë tonë në muaj. Ti do importosh vetëm 1 mijë tonë, që është dhe kapaciteti i fabrikës tënde”, thotë Ahmetaj.

Një argument me të cilin qeveria ndaloi importin e mbetjeve sapo erdhi në pushtet ishte pamundësia për t’i kontrolluar ato në pikat doganore. Ministri Ahmetaj mendon se sot mekanizmi i kontrollit ekziston.

“Është Ministria e Mjedisit, janë inspektoriatet, është Dogana dhe laboratori”, shton Ahmetaj.

Top Channel