Mourinho ironik: Jam trajneri më i keq në histori

23/09/2016 00:00

Jose Mourinho iu kthye polemikave në konferencën për shtyp përpara ndeshjes Mancheter United-Leicester. Kur portugezi u pyet nëse “Dhelprat” mund ta fitonin për të dytin vit radhazi kampionatin anglez, ai lëshoi një nga batutat e tij të zakonshme.

“Sigurisht që është shumë e vështirë të fitosh kampionatin dy vite radhazi, jo vetëm për Leicesterin, por për këdo. Jo shumë skuadra kanë arritur ta bëjnë këtë. Një prej tyre është Manchester United, ndërsa tjetra është një skuadër që drejtohej nga trajneri më i keq i historisë së futbollit”, tha Mourinho, duke iu referuar Chelsea-t të tij, kampion dy vite radhazi në sezonet 2004-2005 dhe 2005-2006.

Para disa ditësh, Jose Mourinho kritikoi ata që i quajti “Ajnshtajnët e futbollit”, pasi mendon se e kritikuan padrejtësisht atë dhe skuadrën e Manchester United pas tri disfatave radhazi.

“E di se disa Ajnshtajnë të futbollit, se futbolli është plot me Ajnshtajnë, duan që të më hedhin poshtë karrierën time 16-vjeçare. Ata duan që të fshijnë historinë e jashtëzakonshme të United duke u fokusuar në rezultatet e tre ndeshjeve. Por kjo është e reja në futboll, është plot me Ajnshtajnë”, tha “Speciali”.

Mou deklaroi se i kuptonte plotësisht zhgënjimin e tifozëve javën e kaluar, por u shpreh i bindur se në fundjavë, në sfidën ndaj kampionëve të Leicester, ata do ta mbështesin sërish skuadrën.

Top Channel