Suedi, 3 të akuzuar për trafikimin e refugjatëve nga Italia

23/09/2016 00:00

Suedia ka ngritur akuza ndaj 3 personave, që kanë organizuar trafikimin e 170 emigrantëve përmes minibusëve nga Italia veriore drejt kufijve të Skandinavisë.

Njoftimi bëhet nga vet prokurorët gjatë kësaj të premteje, sipas të cilëve të akuzuarit kanë punësuar shoferë minibusësh për t’i transportuar emigrantët sirianë drejt vendeve skandinave nga stacioni i trenëve të Milanos në vitin 2014.

“Ata dilnin ‘shëtitje’ atje dhe pyesnin njerëzit nëse ndokush dëshironte të shkonte në Suedi, apo në vende të tjera të gadishullit Skandinav”, tha kryeprokurorja Isabelle Bjursten për “Reuters”.

Ajo shtoi se të dyshuarit u merrnin zakonisht rreth 500 euro për person të interesuarve, ndërsa fëmijët shpesh i linin të udhëtonin falas. Në këtë mënyrë, ata kanë arritur të fitojnë rreth 150 mijë korona suedeze, rreth 17.500 dollarë amerikanë.

Policia në Itali, Danimarkë, Gjermani dhe Austri ndaluan 15 prej këtyre minibusëve dhe kamperave (furgonëve të përshtatshëm për kamping) gjatë gushtit dhe nëntorit të po atij viti.

Mes të dyshuarve, dy prej tyre kanë nënshtetësi suedeze dhe irakiane, ndërsa i treti është një shtetas sirian. Të gjithë ata janë të grupmoshës 35-37 vjeç, siç bën të ditur prokurorja. Nëse ata shpallen zyrtarisht fajtorë, mund të dënohen me burgim nga 6 muaj deri në 6 vite.

Ata u arrestuan në Suedi vitin e kaluar, por më pas u lanë në hetim në gjendje të lirë.

Pas fluksit më të madh të emigrantëve dhe refugjatëve që prej Luftës së Dytë Botërore, me mbi një milion refugjatë azilkërkues që u dyndën në Europë gjatë vitit 2015, vende të përfshira në zonën “Schengen” të Bashkimit Europian, përfshi Suedinë e Gjermaninë, rikthyen kontrollet kufitare për ta ndalur fluksin. E megjithatë, këto kontrolle duhet thënë se janë ende përzgjedhëse.

Top Channel