Porti, vepër arti

23/09/2016 00:00

Selia e re e Autoritetit Portual të Anversës në Belgjikë u përurua zyrtarisht të enjten, si një ndërthurje e lidhjeve të qytetit me detin dhe historinë e tregtisë së tij të diamanteve.

Ndërtesa është një prej krijimeve të fundit të arkitektes së famshme irakiano-britanike, Zaha Hadid, përpara vdekjes së saj.

“Isha i ngazëllyer kur hyra aty ditën përpara përurimit. I kisha hedhur një sy skicave, sigurisht, sepse kam qenë pjesë e jurisë që mori vendimin. Por kur e pashë të realizuar ishte një gjë krejt tjetër. Dhe e bukur nuk është vetëm ndërtesa vet. Zyra ime është në katin e fundit dhe pamja e portit nga atje lart është e mrekullueshme”, tha Eddy Bruyninckx, shef ekzekutiv (CEO) i Autoritetit Portual të Anversës.

Struktura përbëhet nga 2.000 trekëndësha të qelqtë, të cilët reflektojnë dritën e diellit dhe pamjen e rrugës poshtë. Disa e interpretojnë si referim ndaj industrisë së diamanteve të qytetit, të tjerë thonë se ngjason me një anije.

Për Bruyninckx, gjëja më e rëndësishme është që punonjësve, godina t’iu pëlqejë. Kostoja e saj llogaritet te 55 milionë eurot, por duke qenë se i nevojiten dy pastrime të mëdha në 12 muaj, kësaj shume do t’i shtohen edhe 25 mijë euro në vit.

Top Channel