Kamera sigurie në rrugë, Tahiri: Do jemi vend më i sigurt

23/09/2016 00:00

Me miratimin e ligjit për masat shtesë, Shqipëria do të jetë një vend më i sigurt, sipas ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri. Gjatë inaugurimit të repartit të ri të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë në Vaqarr të Tiranës, Tahiri foli për një sistem kamerash sigurie që do të instalohen në rrugë.

“Jemi shumë të angazhuar të vazhdojmë me kamerat e sigurisë, me sistemin teknologjik të kamerave të rrugës. Si në çdo vend të botës do të fillojmë edhe me shkeljet e qarkullimit rrugor edhe me aspekte të sigurisë, që kanë të bëjnë me identifikimin teknologjik, të mjeteve, qytetarëve, që konsumojnë vepra penale”, tha Tahiri.

Masa shtesë sigurie janë të detyruara të merren edhe nga institucionet arsimore si dhe bizneset me risk karshi kriminalitetit. Ndërkohë rindërtimi i repartit të FNSH-së së Tiranës është një investim prej 6 mln eurosh i qeverisë së bashku me partnerët.

Top Channel