Botërori, sfidë jo e pamundur. Duka: Cana, i mirëpritur në pankinën e Kombëtares

23/09/2016 00:00

Në pjesën e dytë të intervistës së tij të bujshme për Top Channel, pas skandalit të basteve, presidentit i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armando Duka flet se ç’do të ndodhë me futbollin shqiptar pas suksesit unik në Europian.

Ai thotë se askush nuk duhet të marrë të mirëqenë kualifikimin në Botëror, por as eliminimin prej tij. Duka i hap derën Lorik Canës për në pankinën e kombëtares së futbollit shqiptar, por pa folur konkretisht nëse kjo prek postin e Gianni de Biasit.

Sa u përket kualifikueseve të Botërorit të 2018-s, presidenti i FSHF-së Armando Duka refuzon të bëjë parashikime, por është i bindur në diçka.

“Ne ndoshta mund të kemi pikë të sigurta, por asnjë tripikësh të sigurtë për ta fituar dhe asnjë tripikësh të sigurtë për ta humbur”, ka thënë kreu i futbollit shqiptar.

Presidenti i ri i UEFA-s, Alexander Ceferin ka qenë zgjedhja e dytë e Federatës Shqiptare të Futbollit, pas tërheqjes së kandidaturës spanjolle, megjithatë, ish-presidenti i Federatës Sllovene të Futbollit në postin e ri ka premtuar shumë për rajonin.

“Kanë qenë tri kandidatë nga fillimi. Një nga kandidatët ishte presidenti i Federatës Spanjolle, që u tërhoq, por nëse do të ishte ai në garë ne do të mendoheshim. Në kushtet kur mbetën dy kandidatë, ne mbështetëm presidentin që u zgjodh, edhe për një arsye rajonale për të mbështetur kandidatët apo vendet e rajonit”, tha Armand Duka, president i Federatës Shqiptare të Futbollit.

Në fund, presidenti Duka tregon sesi Cana dëshiron ende të luajë futboll. Por pavarësisht kësaj, me licencën e sapomarrë të trajnerit, FSHF-ja i ka dyert e hapura.

“Loriku i ndjek rregullisht kurset e UEFA-s për të qenë një person i certifikuar si trajner. Nuk jam i sigurtë nëse ka vendosur. Në fakt, me sa kam folur, ai nuk ka vendosur se çfarë do të bëjë. Ka dëshirë të vazhdojë të luajë ende futboll. Nuk e di nëse do të luajë apo jo, megjithatë, pasi ai të ketë vendosur, unë besoj se të gjithë ne duhet t’i japim një mundësi e ta mbështesim të realizojë ëndrrat e veta”, tha Armand Duka.

Presidenti i Federatës Shqiptare foli për herë të parë për Top Channel për çështjen e trukimeve, ku vulosi gjithçka duke u shprehur se Skënderbeu mbetet kampion i vendit. Në intervistën e transmetuar një ditë më parë në TCH, kreu i FSHF-së foli edhe për përfshirjen e politikës në futboll, duke goditur thuajse drejtpërdrejt tifozin më të zjarrtë nga radhët e politikës në stadiumet tona, deputetin Erion Braçe, nga i cili pati edhe një reagim.

Top Channel