SHBA, policja që qëlloi 40-vjeçarin akuzohet për vrasje

23/09/2016 00:00

Oficerja e policisë që hapi zjarr duke lënë të vdekur në vend një afrikano-amerikan të paarmatosur në Tulsa të Oklahomës është akuzuar për vrasje pa paramendim.

Agjentja Betty Shelby e qëlloi Terence Crutcher javën e kaluar në kohën kur 40-vjeçari ishte duke qëndruar pranë makinës së tij, e cila duket kishte pësuar defekt. Gjykata e konsideroi si të panevojshëm veprimin e Shelby-t.

Ajo vetë mbrohet duke thënë se Crutcher nuk i ishte përgjigjur thirrjeve të saj për të mos bërë asnjë veprim, por ishte zgjatur të merrte diçka në makinë që efektivja ka menduar se mund të ishte një armë. Sipas avokatit mbrojtjës, oficerja është trembur për jetën e saj.

Ajo u arrestua mëngjesin e sotëm, por do të hetohet në gjendje të lire pasi pagoi një dorëzani prej 50 mijë dollarësh. Në Charlotte të Karolinës së Veriut ndërkohë trazirat vazhdojnë. Njerëzit u mblodhën në rrugë për të dytën ditë rresht, ndërsa vendimi për vendosjen e ndalim-qarkullimit ka shkaktuar mjaft indinjatë.
 
“Nuk jam aspak dakord. Unë jam e rritur dhe dua të dal kur të kem qejf e të rri jashtë sa të dua, pavarësisht arsyeve që kam për ta bërë një gjë të tillë”, tha një protuestuese.
 
Protestat në Charlotte shpërthyen pas vrasjes së Keith Scott, për të cilin policia pretendon se kishte armë në momentin kur u qëllua, ndërsa familjarët thonë se në duar 43-vjeçari nuk kishte gjë tjetër përveçse një libër.

Top Channel