Arlind Ajeti i rikthehet stërvitjes

23/09/2016 00:00

Më në fund Arlind Ajeti i është rikthyer stërvitjes pas dëmtimit të një muaji më parë që e la jashtë liste edhe të kombëtares sonë në ndeshjen e parë të Eliminatoreve të Botërorit ndaj Maqedonisë ku Shqipëria triumfoi 1-0. Gjithashtu, mbrojtësi kuqezi ende nuk ka debutuar në Serie A me ekipin e  tij të Torinos.

Ajeti ka hyrë në fazën finale të rehabilitimit, duke nisur vrapimet në fushë, ndërsa do të punojë i diferencuar nga pjesa tjetër e ekipit.

Sinjalet e dhëna nga mbrojtësi duken pozitive, megjithatë për momentin nga stafi mjekësor i Torinos nuk jepet asnjë datë konkrete, për periudhën kur parashikohet që mbrojtësi kuqezi të vihet në dispozicion të trajnerit Mihajlovic, për të shpresuar në debutimin sezonal me “granatat” në Serinë A.

Megjithatë, ende nuk mund të thuhet që Ajeti do të jetë pjesë e Kombëtares shqiptare në dy ndeshjet e radhës, ndaj Lihtenshtejnit dhe Spanjës në tetor.

Top Channel