Koreja e Jugut, forcë speciale ushtarake për rrëzimin e Kim Jong-un

23/09/2016 00:00

Koreja e Jugut po planifikon krijimin e një force të posaçme ushtarake, detyra e së cilës do të jetë rrëzimi i Kim Jong-unit nga pushteti.

Ministri koreano-jugor i Mbrojtjes, Han Min-koo i tha Asamblesë së Përgjithshme në Seul se, njësia në fjalë do të ngrihet me qëllim shënjestrimin e udhëheqësit të vendit komunist, në rastin e një lufte mes dy vendeve fqinje.

Procesi do të njihet si “KMPR – Koreja, ndëshkim dhe shpagim masiv”. Plani do të vihet në jetë si pjesë e një strategjie trifazëshe të mbrojtjes, e cila përfshin aktivizimin e sistemit antiraketë të Koresë së Jugut dhe programit ushtarak “zinxhiri i vrasjeve”.

Sipas ministrit, vendi do të mbajë në gatishmëri të lartë 500 mijë ushtarë. Nëse bëhet e qartë se armiku synon përdorimin e raketave me mbushje bërthamore, skuadra “KMPR” do të hidhet në veprim në zona kyçe, e do të shënjestrojë udhëheqësinë koreano-veriore, citohet të ketë thënë Han.

Të gjitha partitë e mëdha të vendit janë bashkuar në çështjen e armëve bërthamore. Udhëheqësi i opozitës deklaroi se, nëse Kina dhe Rusia nuk iu bashkohen sanksioneve kundër programit bërthamor të Penianit, atëherë duhen dislokuar armatimet e rënda.

Top Channel