Akuzat për abuzime, May: Ushtria duhet mbrojtur

23/09/2016 00:00

Kryeministrja e Britanisë së Madhe, Theresa May tha se duhet bërë çdo përpjekje për të ndaluar abuzimin me sistemin ligjor për të ngritur akuza për sjellje të pahijshme të trupave ushtarake britanike.

Kreu i qeverisa tha në një mbledhje me shefat e mbrojtjes së është e vendosur që të ndalë akuzat irrituese që po bëhen ndaj forcave të armatosura.

Dy hetime të pavarura po shqyrtojnë rreth 2 000 akuza ndaj trupave që shërbyen në Irak dhe Afganistan. Burime nga ministria e mbrojtjes thonë se po merren masa për të parandaluar akuza të rreme dhe për të reduktuar numrin e këtyre çështjeve.

Ish-ushtarë pretendojnë se janë dërguar nga gjykata në gjykata me akuza të pabaza. Ndërkohë, shtohen gjithnjë e më shumë thirrjet që ekipi që shqyrton akuzat për vrasje dhe abuzime të kryera nga trupat britanike në Irak, të shpërbëhet.

Në takimin me Shefin e mbrojtjes si dhe krerët e marinës, forcave tokësore dhe atyre ajrore, kryeministrja May mbështeti fuqishëm ushtrinë dhe tha se do të mbrojë anëtarët e saj. May tha se ushtria britanike është mes më të mira në botë dhe vendi i ka një borxh mirënjohje burrave dhe grave që shërbejnë në të, të cilët, sipas saj, nuk mund të lihen të pambrojtur nga akuzat.

Me qindra akuza janë bërë ndaj ushtarëve britanikë për abuzime të ndryshme dhe ministria britanike e mbrojtëse tha se çdo akuzë serioze, s’mund të lihet pa hetuar. Por ekspertë të ndryshëm thonë se situata është shfrytëzuar për të bërë akuza të rreme dhe kjo ka shkaktuar shumë pakënaqësi mes ushtarëve që thonë se ndihen të braktisur nga shteti i tyre.

Top Channel