Siri, dështon armëpushimi, ushtria nis ofensivën

23/09/2016 00:00

Ushtria siriane lajmëroi se ka nisur një ofensivë të re në qytetin lindor Alepo, ku 250 mijë njerëz jetojnë të rrethuar. Avionët e ushtrisë bombarduan ashpër pozicionet rebele në qytet duke i dhënë fund armëpushimit një javor.

Nuk është e qartë nëse ofensiva e re do të përfshirë trupa tokësore, megjithëse raportet për përleshje të ashpra në qytet nuk mungojnë. Mediat shtetërore siriane i bënë thirrje civilëve në zonat lindore të Alepos që të shmangin vendet ku operojnë terroristët.

Një përpjekje e vakët e autoriteteve për të treguar se duan të shmangin viktima civile, ndërsa sulmet është e qratë se do të bëhën pa dallim. Autoritetet gjithashtu lajmëruan se kanë krijuar disa pika daljeje nga qyteti që mund të shfrytëzohen nga civilë, por edhe rebelët, duke rikonfirmuar mesazhin e mëhershëm: ikni ose vdisni aty.

Duket se lajmërimi për ofensivën e re erdhi menjëherë pasi u mor vesh se bisedimet mes SHBA-ve dhe Rusisë në Nju Jork për të ringjallur armëpushimin, përfunduan pa asnjë progres. I dërguari i OKB-së për Sirin, Stafan de Mistura, e përshkroi këtë takim si të gjatë, të lodhshëm dhe zghënjyes.

SHBA dhe Rusia mbështesin respektivisht opozitën dhe qeverinë siriane. Kryediplomati amerikan John Kerry, i cili kishte propozuar ndalimin e fluturimeve në Siri, tha se SHBA nuk mund të jetë e vetmja që të mbajë hapur derën drejt paqes.

Ndërkohë, në krahun tjetër të tryezës, homologu i tij rus Sergei Lavrov tha se disa janë përpjekur ta paraqesin armëpushimin si përgjegjësi të Damaskut, por edhe rebelët duhet të ndalin luftimet.

Megjithëse priten ende bisedime mes fuqive të mëdha, analistët thonë se java diplomatike në Nju Jork po shkon drejt katastrofës së plotë. Është e qartë se thuajse nuk ka vend për kompromis mes SHBA-ve dhe Rusisë, diçka që në terren përkthet zgjidhje e situatës me gjuhën e armëve.

Top Channel