Akuzat e kreut të FSHF-së, reagon Braçe: Duka, burimi i dhunës në futboll

22/09/2016 00:00

Pas publikimit të intervistës së presidentit të FSHF-së, Armando Duka, dhënë për Top Channel, ku flet kryesisht mbi dënimin që mori ekipi kampion i Skënderbeut për trukimin e ndeshjeve me një vit përjashtim nga kompeticionet europiane, ka reaguar deputeti socialist Erion Braçe, emri i të cilit u përmend në fund të saj, si një politikan që përpiqet të përbaltë sportin më të bukur e më të dashur në vend.

Në reagimin e tij, Braçe hidhet menjëherë në kundërsulm, duke u shprehur se “pasi lexoj intervistën e Dukës, e kuptoj qartë se çdo sharje, fyerje e madje edhe dhuna në futboll buron ekzaktësisht nga presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit”.

Deputeti socialist thotë se, pas publikimit nga UEFA të një raporti mbi dyshimet për trukim të ndeshjeve në Champions, Europa League, por edhe në Kategorinë Superiore, ai ka bërë një reagim në të cilin thotë se nuk ka ofenduar askënd, as nuk ka baltosur dikë.

Më tej ai shprehet se për gjithçka përshkruhet në raportin e UEFA-s, sipas tij faji është i institucioneve dhe FSHF-ja është vetëm njëra ndër to. “Gjithçka kam thënë, as që ka lidhje me të qenit deputet, politikan domethënë. Unë në stadium nuk shkoj si i tillë. Unë në stadium kam shkuar para se ky agai të bëhej president i këtij institucioni. Kam shkuar prej tim eti, jo prej ndonjë politikani. Ndaj, për të shkuar në stadium, as që më shkon në mendje t’i marr leje këtij apo kujtdo tjetër. Ashtu siç për të refuzuar të bëhem pjesë e ndeshjeve të rreme, nuk do i marr leje kurrë këtij apo kujtdo tjetër”, shkruan Braçe.

Socialisti Braçe shton më tej se “Kulturën e këtyre tregtarëve arrogantë, që dinë gjithçka, kanë gjithçka, pronësojnë gjithçka, urdhërojnë këdo, nështrojnë cilindo, e neveris! Topi në këtë vend nuk është i këtij, fushat dhe stadiumet gjithashtu nuk janë prona e këtij, ekipet e futbollit as që kanë lidhje me të dhe nuk duhet kurrë të kenë lidhje me të, gjithnjë nëse ka një garë”.

Në vijim, deputeti i PS-së i referohet personalisht Armand Dukës, kur thotë:

“Tani një gjë personale. Armand, mua në 20 vite në politike nuk më njeh kush për palaço apo klloun. Pyet tët vëlla për këtë se të tregon. Kam pasur mendjen dhe bindjen time, mbi to kam folur pa pyetur hiç sesa parà ka pasur në lojë, e sa parà ke pasur ti aga në lojë. Jo! Kam thënë gjithnjë atë që mendoj, pa u ndikuar nga ndokush. Mbi të gjitha kam thënë fort të vërtetën! Nuk kam bërë kurrë kompromis me kënd për të, me kosto personale natyrisht. Ky quhet karakter dhe dinjitet. Kllouni dhe palaçoja shesin e blejnë dhe këtë ta shesin për ndershmëri! Unë këtë nuk do e bëj kurrë! Ndaj jam këtu ku jam, i zgjedhur. Kupton? I zgjedhur, i votuar nga mijëra njerëz të ndershëm, të cilëve u jam pafund mirënjohës për besimin. Pa parà Armand, thjesht me punë, nder, dinjitet dhe pa kompromis për të vërtetën. Kot ta përmend këtë të fundit, ti s’ke lidhje me të”.

Top Channel