Siri, shënohen bombardimet më të rënda mbi Aleppo. Putin e Assad injorojnë Kerryn

22/09/2016 00:00

Avionët luftarakë rusë dhe sirianë kanë ndërmarrë sulmet më të rënda ajrore prej muajsh në rajonet e kontrolluara prej rebelëve në qytetin e Aleppos përgjatë natës, teksa Rusia dhe qeveria siriane kanë neglizhuar thirrjen e Shteteve të Bashkuara për ndalimin e fluturimeve, duke shuar kështu shpresat për një rikthim të armëpushimit të brishtë.

Zyrtarë të rebelëve dhe punonjës shpërtimi thanë se bomba zjarrvënëse janë hedhur mes të tjerash nga avionët që fluturonin mbi qiellin e qytetit të dëmtuar rëndshëm gjatë luftës civile mbi 5-vjeçare. Hamza al-Khatib, drejtor i një spitali në lindjen e kontrolluar prej rebelëve, tha për “Reuters” se numri i të vdekurve ka shkuar në 45 tashmë.

“Ky sulm ka qenë si të thuash, avionët po përpiqen të kompensojnë të gjitha ato ditë gjatë të cilave nuk kryen asnjë bombardim gjatë armëpushimit”, tha Ammar al-Selmo, kreu i shërbimit të mbrojtjes civile dhe shpëtimit në zonën lindore të Aleppos. “Duket sikur ka pasur një koordinim mes avionëve dhe bombardimeve me artileri të rëndë, sepse predhat e këtyre të fundit po bien në të njëjtat vendndodhje ku po godasin edhe avionët”, shtoi më tej ai.

Sulmet e ndërmarra nga avionët e forcave besnike të qeverisë siriane, aleatëve rusë apo të dyve bashkë, e bëjnë të qartë se Moska dhe Damasku kanë refuzuar lutjen e Sekretarit amerikan të Shtetit, John Kerry, për ndaljen e fluturimeve, në mënyrë që të mund të dërgohen ndihma dhe armëpushimi të rikthehet në jetë.

Në një bisedë të tensionuar televizive me homologun e tij rus, Sergei Lavrov, në Kombet e Bashkuara gjatë së mërkurës, Kerry tha se ndalja e bombardimeve përbënte edhe mundësinë e fundit për të gjetur një “rrugëdalje nga masakrat”.

Presidenti Bashar al-Assad, ndërkohë, tregoi se ende nuk sheh një fund të shpejtë të luftës, duke thënë për “Associated Press” se ajo do të zvarritet për sa kohë që lufta është pjesë e një konflikti global, në të cilin terroristët mbështeten nga Arabia Saudite, Katari, Turqia dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Moska dhe Uashingtoni njoftuan armëpushimin dy javë më parë me një trumbetim të madh festiv. Por marrëveshja, ndoshta edhe përpjekja e fundit për një kapërcim të krizës siriane përpara se presidenti Obama të largohet nga Shtëpia e Bardhë janarin e ardhshëm, duket se ka pësuar të njëjtin fat si përpjekjet e tjera për paqe gjatë luftës që ka lënë të paktën qindra mijëra sirianë të vdekur, ndërsa gjysma e popullsisë së vendit ka mbetur e pastrehë tashmë.

Top Channel