Panariti vlerëson “Fiks Fare”, nxit denoncimet ndaj abuzimeve në AKU

22/09/2016 00:00

Ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti, thotë se javën që vjen do të nisë hapja e tregjeve pa kufizim, ndërsa pas dy javësh nis kompensimi i 470 krerëve që u groposën për shkak të infektimit nga sëmundja e dermatozës nodulare.

“Për këto 470 krerë kemi të gjithë dokumentacionin dhe do të zëvendësohen me lopë të të njëjtit lloj”, deklaroi Panariti.

Në takimin e ministrave të Bujqësisë të vendeve të Mesdheut ku u diskutua mbi bujqësinë si alternativë për punësimin e refugjatëve, ministri Panariti nuk iu shmang pyetjeve mbi mungesën e kontrollit në tregje, të vërtetuara nga raportimet e vazhdueshme në “Fiks Fare”.

“Konsumatorët nuk duhet të konsumojnë në pika të paautorizuara, rrjeti i ushqimit është i gjerë, AKU është ajo që është dhe do bëjmë të pamundurën të zëvendësojmë punonjësit me njerëz të specializuar që inspektori të dijë çfarë bën”,, vijoi Panariti.
 
Lidhur me rastet kur inspektorë të AKU-së ushtrojnë presion mbi subjektet kundrejt parave, Panariti ftoi qytetarët të denoncojnë rastet për të cilat tha se do të merren masa të menjëhershme.

Top Channel