Gabigol: Refuzova milionat e Kinës për Interin, dua të luaj

22/09/2016 00:00

Gabriel Barbosa është transferimi më i fundit i Interit. Sulmuesi brazilian i njohur ndryshe si Gabigol, iu bashkua zikaltërve nga skuadra braziliane e Santosit. Ai mund të debutojë në fundjavë ndaj Bolonjës.

“Mund të luaj në çdo pozicion, varësisht nga kërkesat e trajnerit. Dua të jap kontributin tim për skuadrën. Mezi po pres të debutoj. Tani po luajmë mirë dhe duhet të vazhdojmë kështu”, tha braziliani në prezantimin para gazetarëve.

Ai foli edhe për diferencat në mes të kampionatit brazilian dhe atij italian. “Kam vënë re shumë ndryshime. Në Itali i japin shumë rëndësi taktikës, ka më shumë kontakt. Jam stërvitur fort dhe kam pushuar. Jam gati”, vijoi ai.

Por, a mund të fitonte më shumë në ndonjë skuadër tjetër? “Kisha oferta nga Kina dhe shumë që më ofruan ishin astronomike, por jam në një skuadër të madhe. Jam i magjepsur nga tifozët, ata janë të jashtëzakonshëm. E rëndësishme është që gjithmonë na mbështesin. Secili këtu ka qenë shumë i mirë me mua dhe jam ndjerë menjëherë si në shtëpi. Jam shumë i lumtur për mikpritjen”, tha Gabigol.

Për t’ju kthyer edhe njëherë ofertave, braziliani u kujdes të sqaronte se Interi ishte zgjedhja e parë. “Interi gjithnjë ka qenë zgjedhja e parë. E vërtetë që kam pasur oferta edhe nga Spanja apo Anglia. Mendoj se kam ardhur në skuadrën më të mirë në Itali dhe jam i lumtur me zgjedhjen”, tha ai.

Mauro Icardi ka shënuar 6 gola në pesë ndeshje deri më tani këtë sezon, por Gabigol nuk duket shumë i shqetësuar nga konkurrenca.

“Inter nuk ka vetëm Icardin, por edhe sulmues të tjerë të mirë. Atë kam idhull, gjithnjë e kam ndjekur kur kam pasur mundësi që të shoh ndeshjet. Ai gjithnjë shënon. Objektivat? E rëndësishme është të fitojmë. Inter ka një projekt dhe një trajner të madh”, tha Gabigol.

FOTO GALERI
1/5

Top Channel