Kosovë, ministri Bajrami: Mësimdhënësit e viteve ’90 të mos kërkojnë dekorata

22/09/2016 00:00

Duke e përmendur edhe veten, si pjesë e arsimit të viteve ’90, Arsim Bajrami tha se mësimdhënësit e asaj kohe nuk duhet të kërkojnë dekorata.

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë në Kosovë foli sot në Kuvend për çështjen e njohjes së kontributit të mësimdhënësve në vitet ’90-’99.

Duke iu përgjigjur pyetjes së deputetes së AAK-së, Teuta Haxhiu, rreth ligjit për njohjen e këtij kontributi, ministri deklaroi se ky ligj është në vlerësim financiar.

“Ka qenë prioritet i MASHT-it dhe ne e kemi bërë ligjin. Ai është në vlerësim financiar dhe uroj që të gjendet kostoja financiare. Por më shumë se përfitimet materiale, ky ligj ka efektet morale. Ky ka qenë një projekt i rezistencës kombëtare, ku mësimdhënësit kanë luajtur rolin që duhej të luanin”, vlerësoi Bajrami.

Bajrami theksoi se kontributi që kanë dhënë këta mësues, si pjesë e rezistencës kombëtare, duhet të njihet, por jo domosdoshmërisht të dekorohet.

“Nuk ka pasur alternativë tjetër për ne, si mësimdhënës, përpos që të punojmë edhe në kushte të vështira. Natyrisht ne kemi të drejtë të kërkojmë që puna jonë të vlerësohet, por jo të marrim shpërblime tashmë dhe dekorata, sepse ka qenë pjesë e rezistencës kombëtare, nuk kemi pasur zgjidhje tjetër”, konstatoi ai.

Top Channel