Kosovë, Tahiri-Apostolova: Të përshpejtohet zbatimi i marrëveshjeve me Serbinë

22/09/2016 00:00

Ministrja e Qeverisë së Republikës së Kosovës për Dialogun, Edita Tahiri ka pritur sot në një takim njohës shefen e re të zyrës së Bashkimit Europian, njëherësh edhe përfaqësuese e posaçme e BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova.

Ministrja Tahiri tha se do të vazhdojë bashkëpunimin e shkëlqyer me zyrën e BE-së, për të arritur synimet e integrimit të Kosovës në Bashkimin Europian.

Duke folur për zhvillimet e përgjithshme, ajo tha se Kosova ka arritur progres në agjendën demokratike të shtetndërtimit, si dhe në planin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës.

Ajo theksoi përparimet për forcimin dhe konsolidimin e sovranitetit të Republikës, si në aspektin e brendshëm, por edhe në atë të jashtëm, për integrimin euroatlantik të Kosovës, duke thënë se reformat europiane të realizuara në vend dhe angazhimi serioz në dialogun e Brukselit kanë bërë që Kosova të hapë një kapitull të ri në marrëdhëniet me Bashkimin Europian me nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit.

“Kjo marrëveshje me BE-në ka qartësuar ardhmërinë europiane të shtetit të Kosovës dhe ne mbetemi të përkushtuar për të çuar përpara procesin e integrimit të plotë të vendit në BE”, theksoi ministrja Tahiri.

Ajo vlerësoi lart marrëdhëniet mes Kosovës dhe Bashkimit Europian dhe kërkoi që vendimi për liberalizimin e vizave të bëhet sa më parë.

Ministrja Tahiri tha se Qeveria e Kosovës mbetet e përkushtuar për forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar, në shtimin e numrit të njohjeve të pavarësisë së vendit, anëtarësimin në BE, NATO, OKB dhe organizata të tjera ndërkombëtare.

Duke folur për dialogun e Brukselit, ministrja Tahiri tha se ai është pjesë e politikës së jashtme të shtetit të Kosovës dhe bazohet në Kushtetutën e vendit në kuadër të politikave të fqinjësisë së mirë dhe, përkundër një historie të rëndë, Kosova po dëshmon gatishmëri për të normalizuar marrëdhëniet ndërfqinjësore edhe me Serbinë, sipas standardeve europiane.

“Dialogu i Brukselit po kontribuon për integrimin e serbëve të Kosovës, për shtrirjen e sovranitetit në tërë territorin e Kosovës dhe shuarjen e strukturave paralele, sfida këto të trashëguara nga ish-misioni i UNMIK-ut, i cili nuk arriti ta administronte tërë territorin e Kosovës, sepse pjesa veriore e vendit mbeti peng i ndërhyrjeve nga Serbia”, tha Tahiri.

Ajo potencoi se dialogu i Brukselit ka dhënë rezultate të rëndësishme, ndërsa tha se zbatimi i plotë i disa prej marrëveshjeve të pazbatuara nga ana e Serbisë duhet të përshpejtohet. Ministrja përmendi nevojën e zbatimit të marrëveshjes për kodin telefonik për Kosovën, marrëveshjen për energjinë, pavarësimin e KOSTT, zbatimi i të cilave hap rrugën për zbatimin e marrëveshjes për Asociacionin, ndërsa theksoi se hapja e urës së Ibrit dhe rivitalizimi i saj nga BE-ja është mirëpritur nga të gjithë qytetarët e Kosovës.

Shefja e zyrës së BE-së në Kosovë dhe Përfaqësuese Speciale e BE-së, Nataliya Apostolova përgëzoi ministren Edita Tahiri për punën e saj të rëndësishme dhe theksoi rëndësinë që BE-ja i jep dialogut dhe normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Ajo shprehu bindjen se të gjitha marrëveshjet do të zbatohen plotësisht, me interes parësor ato që sjellin normalizim në dobi të popullit të Kosovës, si dhe për hir të bashkëpunimit rajonal dhe marrëdhënieve të mira fqinjësore.

Apostolova theksoi nevojën për të përfshirë opozitën në procesin e dialogut, si dhe për t’i njoftuar më mirë qytetarët e Kosovës për të mirat që po sjell dialogu dhe ndikimet e tij për përmirësimin e jetës së përditshme të qytetarëve.

Në fund të këtij takimi, të dy bashkëbisedueset u pajtuan për vazhdim të bashkëpunimit me qëllim të avancimit të rrugës së Kosovës drejt përmbushjes së kritereve të kërkuara nga ana e Bashkimit Europian.

Top Channel