Sulmi i autokolonës, shefi i Shtabit të Përgjithshëm amerikan: Përgjegjësi e Rusisë

22/09/2016 00:00

Një prej oficerëve më të lartë ushtarakë të Amerikës ka thënë këtë të enjte përpara ligjvënësve se, tashmë nuk ka më asnjë dyshim në mendjen e tij që Rusia është përgjegjësja e sulmeve ajrore të kryera ndaj autokolonës me ndihma humanitare në Aleppo të Sirisë, duke e quajtur atë sulm si një “mizori të papranueshme”.

Gjenerali amerikan i Marinës, Joseph Dunford, kreu i Shtabit të Përgjithshëm tha gjatë një dëshmie përpara Komitetit për Shërbimet e Armatosura në Senat, se kanë qenë dy avionë luftarakë rusë të pranishme mbi zonën ku ndodhën edhe sulmet. Megjithatë, ai shton se edhe avionët e forcave qeveritare siriane ishin shumë pranë.

Dunford nuk specifikon, gjithsesi, se cili prej dy avionëve rusë hodhi predhat ndaj autokolonës, sulm pas të cilit mbetën të vdekur 20 civilë. Gjatë dëgjesës me të pranishëm të një rangu të gjerë, Dunford tha se administrata “Obama” po konsideron tashmë edhe armatosjen e drejtpërdrejtë të kurdëve sirianë, të cilët Shtetet e Bashkuara i kanë mbështetur në luftën kundër militantëve të Shtetit Islamik.

“Ata janë partnerët tanë më efektivë në terren”, tha Dunford duke iu referuar kurdëve në Siri, të cilët kryesojnë një grup opozitar, që SHBA-të i njohin me emrin “Forcat Demokratike Siriane”. Dunford tha gjithashtu se “është tepër e vështirë” të menaxhosh balancat mes mbështetjes së kurdëve dhe përballjes me kundërshtimin e vendosur të qeverisë turke ndaj kësaj mbështetjeje. Kjo për shkak se Turqia i sheh kurdët si një kërcënim politik prej një kohe të gjatë.

I pyetur nëse armatosja e kurdëve të Sirisë do të ishte një opsion i zbatueshëm ushtarak, pavarësisht kundërshtimit të Turqisë, Dunford tha se “përforcimi” i aftësive ushtarake të Forcave Demokratike Siriane “do të shtonte perspektivën e suksesit tonë” në çlirimin e Raqqa-së, kryeqytetit “de facto” të Shtetit Islamik në Siri.

Dunford dhe Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Ashton Carter, u përballën me irritimin e republikanëve për shkak se administrata “Obama” nuk po ndërmerr hapa më agresivë për t’i dhënë fund konfliktit civil 5-vjeçar në Siri. Senatori John McCain, kreu i komitetit në fjalë, akuzoi Sekretarin e Shtetit, John Kerry se po tregohet “i guximshëm, por zhgënjyes” në përpjekjet për të punuar me Rusinë për të arritur një paqe afatgjatë në Siri.

Top Channel