Egjipt, qindra të vdekur si pasojë e përmbysjes së varkës me emigrantë

22/09/2016 00:00

Të mbijetuarit e një varke të përmbysur pak larg brigjeve egjiptiane gjatë së mërkurës i kanë thënë BBC-së se me qindra persona mund të jenë mbytur.

Në mjetin e papërshtatshëm për lundrim kishte rreth 550 emigrantë, ndërsa u përmbys 8 milje (12 km) larg brigjeve. Autoritetet kanë mundur të shpëtojnë rreth 163 persona, ndërsa deri më tani janë nxjerrë trupat e pajetë të 42 njerëzve, të dërguar më pas në qytetin portual të Rosettës.

Për këtë incident janë arrestuar 4 pjesëtarë ekuipazhi, – bëjnë të ditur zyrtarë egjiptianë, – të cilët akuzohen për vrasje pa paramendim dhe trafikim të qenieve njerëzore.

Incidenti ndodhi vetëm pak pasi agjencia për mbrojtjen e kufijve të jashtëm të BE-së paralajmëroi se një numër gjithnjë e më i madh i emigrantëve që kanë për destinacion Europën janë duke përdorur Egjiptin si pikënisjeje.

Kombet e Bashkuara thonë se më shumë se 10 mijë persona kanë humbur jetët në përpjekje për të kaluar Mesdheun drejt Europës, që prej vitit 2014.

Sipas asaj që bëhet e ditur, varka ishte mbajtur në breg të detit për 5 ditë, në pritje të ngarkimit të saj me sa më shumë emigrantë. Mbi 100 prej atyre që janë shpëtuar janë egjiptianë, ndërkohë që ata që donin të siguronin edhe jelekë shpëtimit gjatë udhëtimit janë tarifuar me pagesë shtesë.

Mjeti lundrues u mbyt në momentin kur mbi të u ngjit grupi i fundit prej 150 vetash, ndërsa akuza janë bërë edhe ndaj autoriteteve egjiptiane, të cilat kanë dështuar të dërgojnë ekipet e ndihmës në kohën më të shpejtë të mundshme.

Mes viktimave të deritanishëm është një fëmijë, 10 gra dhe 31 meshkuj të moshës së re. Varka po transportonte emigrantë nga Egjipti, Siria, Sudani, Eritrea dhe Somalia. Shumica e të mbijetuarve janë shoqëruar në polici për t’u marrë në pyetje.

Top Channel