Aksident i rëndë në Gjadër të Lezhës. Dy viktima, 4 të plagosur

22/09/2016 00:00

Një aksident i rëndë u regjistrua rreth orës 17:00 në aksin Lezhë-Shkodër, teksa dy automjete u përplasën me njëri-tjetrin, duke shkaktuar vdekjen e një prej pasagjereve në vend dhe një tjetre në Spitalin e Traumës, si dhe plagosjen e 4 të tjerëve.

Aksidenti ndodhi në vendin e quajtur kthesa e Blinishtit, përplasje që rezultoi fatale për 54-vjeçaren Fatmira Ndregjoni, ndërsa mbetën të plagosur shtetasit S.N., A.N. (drejtues i njërit prej mjeteve) dhe Fatmira Ndregjoni (kushërira e burrit të viktimës), e cila ndërroi jetë në Tiranë. Nga të plagosurit, i pari ndodhet në Spitalin Rajonal të Lezhës për ndihmën e nevojshme mjekësore, ndërsa i dyti është nisur për në Spitalin e Traumës në kryeqytet. Të gjithë këta ndodheshin në mjetin tip Benz, me targa AA 182 LZ.

Si pasojë e aksidentit u plagosën edhe dy shtetasit që ndodheshin në Audin me targa AA 374 AR; konkretisht N.N., i cili ndodhet në Spitalin Rajonal të Shkodrës, dhe shtetasi E.N., i cili ndodhet në Spitalin e Traumës në Tiranë.

Pas përplasjes së dy mjeteve, në Benz mbetën të bllokuar dy shtetas, viktima dhe drejtuesi, nxjerrja e të cilëve u bë e mundur pas prerjes së makinës me gur fresibël nga forcat zjarrfikëse. Autoambulanca ka bërë të mundur fillimisht transportimin e 3 shtetasve, ndërsa një autoambulancë e dytë e nisur nga spitali ka transportuar viktimën dhe drejtuesin e Benzit.

Policia po punon për të zbuluar shkakun e aksidentit. Ky është një vend i njohur si problematik për aksidentet, pasi në të njëjtin vend, dy javë më parë u përplasën 3 mjete, por fatmirësisht pa viktima. Ndërsa në listën e aksidenteve rrugore, pikërisht në këtë vend janë shënuar disa aksidente me pasoja në njerëz.

FOTO GALERI
1/6

Top Channel