Presidenti filipinas për BE-në: Do t’i çoj në djall të gjithë

22/09/2016 00:00

Presidenti filipinas Rodrigo Duterte kërkoi që Bashkimi Europian të tregojë respekt ndaj tij si lider, edhe pse më herët i kishte rezervuar bllokut një gjest të turpshëm me gishtin e mesit. I zemëruar nga thirrja e Parlamentit Europian për frenimin e terrorit 11 javor të vrasjes së shpërndarësve dhe trafikantëve të drogës në Filipine, ish-kryebashkiaku i qytetit jugor, Davao sulmoi BE-në.

“Kur isha kryetar bashkie, ishim në rregull, por tani gjërat kanë ndryshuar sepse jam president dhe përfaqësoj kombin. Unë jam presidenti i Republikës. Përse duhet të fyhem? Përse duhet të anatemohem. Mënyra juaj e të menduarit është sikur unë të jem vartësi juaj. Për këtë arsye, po ju çoj në djall të gjithë”, u shpreh Rodrigo Duterte, president i Filipineve.

Pas sharjeve të rënda të drejtuara OKB-së, Shteteve të Bashkuara dhe Presidentit Barack Obama, Bashkimi Europian ishte shënjestra më e fundit e Dutertes që e mori pushtetin në muajin maj me premtimin e goditjes së pamëshirshme të tregtisë së drogës.

Që prej vendosjes se tij ne krye te shtetit ne 30 qershor, në Filipine janë ekzekutuar të paktën 3.800 vetë. Lideri filipinas i ftoi megjithatë Kombet e Bashkuara dhe bllokun europian ta hetojnë fushatën e tij antidrogë, të cilën siç u shpreh disa ditë më parë, mund ta zgjeroje akoma më shumë vitin që vjen, sepse se e kishte nënvlerësuar thellësinë e vërtetë të problemit.

Top Channel