Të ardhurat poshtë parashikimit, Financat fajësojnë bashkitë

22/09/2016 00:00

Për periudhën janar-gusht, qeveria mblodhi 265.7 miliardë lekë të ardhura nga taksat dhe burimet e tjera financiare. Kjo shifër është 7 për qind më e lartë se sa ajo e vitit të kaluar.

Por nëse krahasohen me planin, të ardhurat janë 1.2 për qind më të ulëta nga sa ishte parashikuar, ose 4.5 miliardë lekë më pak. Sipas Ministrisë së Financave, mosrealizimi i detyrohet kryesisht të ardhurave jo tatimore dhe ecurisë së dobët të pushtetit vendor.

Ndërsa të ardhurat tatimore, ato që mblidhen nga Tatimet dhe Doganat, si dhe kontributet e sigurimeve shoqërore janë realizuar në masën 99.8 për qind.

Sipas Ministrisë së Financave, zërin me ecurinë më të mirë e ka patur tatimi mbi fitimin. Të ardhurat nga kjo taksë ishin 3.4 miliardë lekë më të larta se plani dhe po kaq mbi ato të vitit të kaluar, duke dëshmuar për rritje të fitimeve të deklaruara nga bizneset.

Por nëse tatimi korporativ ka patur një ecuri dukshëm më të mirë se pritshmëritë, ai mbi vlerën e shtuar ka rezultuar poshtë tyre.

Edhe pse krahasuar me një vit më parë, të ardhurat nga TVSH-ja janë më të larta, ndaj planit të këtij viti ato rezultojnë 2.3 miliardë lekë më pak.

Ecuri më të ulët se plani kanë patur edhe të ardhurat nga taksat nacionale, ndërsa tatimi mbi të ardhurat personale vazhdon të performojë pozitivisht.

Për gjithë vitin qeveria ka parashikuar të mbledhë 415 miliardë lekë të ardhura në buxhet, për të financuar planin e shpenzimeve publike.

Top Channel