Dita pa makina, Veliaj: Ajri në Tiranë, 15 për qind më i pastër

22/09/2016 00:00

Në Ditën Ndërkombëtare pa Makina, kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj i është bashkuar aktivistëve të rrjetit të infomimit të Bashkimit Europian, të cilët janë nisur nga qyteti i Shkodrës duke pedaluar për t’u ndalur në kryeqytet, për të vijuar pedalimin drejt qytetit të Vlorës.

“Matjet e kryera në pikat fikse ku bëhen çdo vit tregojnë se ndotja e ajrit në Tiranë është në rënie dhe sot kemi ajër 15% më të pastër. Nëse ecet me këtë ritëm, brenda 5-6 vitesh mund të kemi ajër 100% më të pastër se sot”, deklaroi Veliaj.

Kryetari i bashkisë tha gjithashtu se investimet që po kryen kanë për qëllim përmirësimin e shëndetit publik, ndërkohë që shtoi se, sapo është miratuar matser plani për ndërtimin e një rrjeti të korsive të biçikletave.

“Përveç se i rrisin vlerën pronës, investimet e bashkisë në korsi biçikletash dhe urbanizim shmangin baltën e pluhurin që hyn në mushkëritë tona. Do të vijojmë me investime të këtij standardi, jo vetëm që të rrisim urbanizimin, por edhe që të përmirësojmë cilësinë e ajrit që thithim”, tha Veliaj.

Java europiane e lëvizshmërisë është nismë e BE-së dhe në Shqipëri u lançua nga ministri i Mjedisit Lefter Koka. Thirrjes së tij iu përgjigjën 14 qytete shqiptare për të organizuar aktivitete ndërgjegjësuese. Motoja e këtij viti është “Drejt Europës me Biçikleta”.

Top Channel