Paqja në Kolumbi, qeveria dhe rebelët nënshkruajnë marrëveshjen

22/09/2016 00:00

Paqja në letër u vendos, por sa do të arrijë ajo të vihet në jetë vërtetë. Edhe pse e pranuan marrëveshjen që i dha fund 52 vitesh lufte civile në Kolumbi, rebelët e forcave të armatosura revolucionare FARC druhen se qeveria mund të mos e implementojë paktin.

“Jemi në një klimë uniteti, jemi të kujdesshëm ndaj çështjeve që shqetësojnë më shumë palët, shpresojmë, por kemi sigurisht edhe shqetësime sa i takon perspektives sidomos nëse i referohemi mungesës historike të pajtimit nga qeveria kolumbiane”, u shpreh Pastor Alape, komandant i FARC.

Dështimi i bisedimeve dypalëshe në vitet 1980 çoi asokohe në një përshkallëzim të konfliktit. Por në konferencën e parë të hapur për shtyp të grupit rebel, komandanti Henry Castellanos tha se situata tani është shumë ndryshe.

“Kemi krijuar një dokument gjithëpërfshirës, i cili garanton siguri. Nëse shteti i qëndron të gjitha pikave të parashtruara në këtë dokument, atëherë nuk besoj se do të ketë probleme. Të gjithë ne që jemi përfshirë në procesin e paqes kemi një objektiv të vetëm, shpëtimit e atdheut”, tha Henry Castellanos, një tjetër komandant i FARC.

Marrëveshja do të firmoset në 26 shtator dhe në fillim të tetorit, ajo do të jetë subjekt i një referendumi popullor.

Top Channel