Ligji i mbetjeve, Rama: Stimul industrisë së riciklimit; debate në Kuvend

22/09/2016 00:00

Kryeministri Edi Rama ka mbrojtur ligjin e mbetjeve, të ndryshuar së fundmi nga mazhoranca e tij, duke thënë se ai ofron garanci dhe siguri, ndryshe nga ligji i hartuar nga qeveria parardhëse.

“Ligji stimulon zhvillimin e një industrie që sot e ka të domosdoshme importin e objekteve të listës së gjelbër. Nëse ne nuk do të bënim këtë ndërhyrje do të falimentonim industrinë e riciklimit, do të linim rrugëve 1.200 punonjës, nuk do të ishim në pajtim me direktivën europiane dhe do të mbyllnim një front punësimi dhe pastrimi mjedisor”, ka deklaruar Rama.

Ai ka bërë me dije se, masa paralele që qeveria do të marrë është heqja e taksës prej 50 lekë të reja për kg për mbetjet plastike, “që pengon stimulimin e mëtejshëm të mbetjeve të brendshme”, ndërkohë që nuk do të lëvizë taksën për mbetjet nga jashtë, “që është 100 lekë të reja për kg”.

“Po flasim për një industri që në 3 vitet e fundit ka kryer investime serioze në infrastrukturën e vetë. Shqipëria ka fabrika të riciklimit të çertifikuara nga Bashkimi Europian”, ka shtuar Rama, duke shtuar se plerat do të përpunohen në impiante moderne.

Bare: Kemi kapacitetet e duhura; Tabaku: Qeveri hipokrite

Më herët, deputeti i PS, Besnik Bare akuzoi qeverisjen e PD, se në 8 vjet nuk krijoi dot asnjë model për riciklimin e mbetjeve.

Ndërsa qeveria e sotme, sipas tij, “ka mundësinë të analizojë kapacitetet e të gjitha kompanive të kësaj industrie, të kontrollojë çdo mbetje të importuar përmes inspektoriatit përkatës dhe të zbatojë penalitete më të ashpra” ndaj shkelësve të ligjit.

Ndër të tjera, Bare shprehu konsensusin e tij kundrejt propozimit të LSI, për përfshirjen e shoqërisë civile në mbikëqyrjen e këtij procesi.

“Biznesi i riciklimit është karakteristikë e vendeve të zhvilluara dhe jo atyre të varfëra. Ka më shumë se 3 mijë punëtorë për këtë sektor dhe numri mund të rritet. Ne duhet ta stimulojmë atë”, tha Bare.

Deputetit socialist iu përgjigj deputetja demokrate Jorida Tabaku, e cila deklaroi se, qeveria aktuale në 3 vjet ka shkelur premtimet e saj kur ishte në opozitë.

“Nëse politika ka moral, ata politikanë (që e kundërshtuan ligjin e mbetjeve në opozitë), sot duhet të ishin duke bërtitur kundër tij. Ajo “jo” e djeshme duhet të jetë një “jo” e fortë sot në Parlament”, tha Tabaku.

Top Channel