Përmbyset autobusi në aksin Gjirokastër-Tepelenë, 31 të plagosur

22/09/2016 00:00

Një aksident i rëndë është shënuar rreth orës 04:40 të mëngjesit në aksin rrugor Gjirokastër-Tepelenë, pranë Ujit të Ftohtë. Autobusi i linjës Athinë-Tiranë, që transportonte 41 pasagjerë, është përplasur fillimisht me faqen e kodrës në krahun e drejtuesit të mjetit dhe më pas është përmbysur në rrugë.

31 pasagjerë, mes të cilëve edhe një fëmijë 1 vjeç, u transportuan për në spitalin e Gjirokastrës. Mjeku Roland Karalli bën me dije se 7 prej tyre do të mbahen në spital për trajtim të mëtejshëm, ndërsa të dëmtuarit e tjerë janë larguar pas mjekimit të plagëve të lehta. Pacienti që mbërriti në gjendje më të rëndë, pas ekzaminimeve me skaner u konfirmua se do të vijojë të qëndrojë për disa ditë në spital, derisa situata klinike të përmirësohet.

Policia ndaloi më parë gjatë ditës 50-vjeçarin Ilia Silos, drejtues i mjetit, gjithashtu i plagosur. Mendohet që shkak paraprak për përmbysjen e autobusit të ketë qenë lagështia në rrugë, e favorizuar nga pjerrësia e saj dhe errësira. Gomat e para dhe faqja ballore ishin të mbuluara me baltë, çka konfirmon përplasjen e autobusit fillimisht me faqen e kodrës, në përpjekje për të frenuar.

Pasagjerët e autobusit thanë se situata ka qenë shumë kaotike në momentin e përmbysjes. Shumica e tyre kanë qenë në gjumë. Më pas, pasagjerët në gjendje më të mirë kanë thyer xhamat e autobusit dhe kanë ndihmuar njëri-tjetrin për të dalë. Pasagjerët e vendeve të para duket se kanë marrë dhe dëmtimet më serioze për shkak të goditjes me faqen e kodrës dhe përplasjen e mjetit në asfalt.

FOTO GALERI
1/15
Një autobus i linjës Athinë-Tiranë ka dalë nga rruga, duke shkaktuar plagosjen e 30 personave.

Top Channel